Paris - Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Ministi i Kulturës së Francës ka dhënë një deklaratë për shtypin në të cilën lajmëron publikun se piktura e impresionistit të famshëm francez Edgar Degas "Blanchisseuses souffrant des dents" ("Pastruesja që vuan nga dhëmbja e dhëmbit") është gjetur në qytetin e Nju Jorkut pas 37 vitesh, që prej vjedhjes së saj nga Muzeu i Le Havrit në Normandi,Francë. Gjetja e kësaj pikture ka qenë e rastësishme pasi kjo pikturë ishte venë në shitje në ankand nga shtëpia e shitjeve në ankand "Sotheby". Piktura është realizuar nga piktori i shquar në vitet 1871-1873. Ajo ishte vlerësuar për shitje nga një bazë që shkonte nga 350 mijë dollarë deri në 450 mijë dollarë. E kontaktuar nga Ministria Franceze e Kulturës shtëpia e shitjeve në ankand "Sotheby" pranoi ta heqë pikturën nga lista e objekteve në ankand dhe të bashkëpunojë me francezët, por megjithëatë bëri të ditur se vënia në shitje e pikturës ishte e ligjshme pasi piktura e sipërpërmendur nuk ishte në listën e pikturave të vjedhura që kërkohen nga Interpoli. Pasi piktura të kthehet në Francë do të vendoset në Muzeun e Luvrit në Paris.